Spanja refuzon të mbështesë sulmet ushtarake ndaj Iranit, SHBA tërheq avionët nga baza në Sevilje

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.03.2026, 19:24

Spanja ka refuzuar t’i japë mbështetje ushtarake operacionit të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke u distancuar nga qëndrimi i Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, të cilat kanë lënë të hapur mundësinë e veprimeve “mbrojtëse proporcionale” ndaj Teheranit.

Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, deklaroi se Evropa duhet të ndjekë një linjë të ekuilibruar dhe moderuar, duke punuar për uljen e tensioneve dhe rikthimin e negociatave. Sipas tij, veprimet ushtarake të njëanshme jashtë kuadrit të OKB-së vetëm sa rrisin spiralen e dhunës dhe nuk kanë objektiv të qartë politik.

Megjithëse Madridi dënoi sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe Qipros, qeveria spanjolle zgjodhi një përgjigje diplomatike, duke thirrur ambasadorin iranian dhe duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve që, sipas saj, rrezikojnë edhe rreth 30 mijë shtetas spanjollë në rajon.

Refuzimi për të mbështetur operacionin ushtarak bëri që Pentagoni të tërhiqte një duzinë avionësh furnizues me karburant KC-135 nga baza ajrore Morón në Sevilje dhe pjesërisht nga baza Rota në Kadiz. Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, theksoi se bazat spanjolle nuk do të përdoren për operacione luftarake pa një mandat ndërkombëtar nga organizata si OKB, NATO apo BE, duke sqaruar se marrëveshja ushtarake me SHBA funksionon vetëm brenda së drejtës ndërkombëtare.

Sipas saj, avionët amerikanë u zhvendosën drejt bazave në Gjermani dhe Francë pasi Uashingtoni ishte në dijeni të vendimit të Madridit. Ndërkohë, dy 'shkatërrues amerikanë' të vendosur në bazën detare të Rotës vazhdojnë operacionet në Mesdheun Lindor, pasi Spanja nuk ka mundësi t’i ndalojë anijet ushtarake që veprojnë tashmë në det.

Autoritetet spanjolle konfirmuan gjithashtu se mbi 1 mijë ushtarakë spanjollë të dislokuar në rajon, në Liban, Irak dhe Turqi, janë në gjendje të mirë dhe kanë marrë masa shtesë sigurie për shkak të përshkallëzimit të tensioneve.

Ndryshe nga Spanja, liderët e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë deklaruan se janë të gatshëm të ndërmarrin veprime mbrojtëse në koordinim me SHBA-në për të frenuar kapacitetet raketore dhe me dronë të Iranit, duke thelluar kështu ndarjet brenda Evropës për mënyrën e reagimit ndaj krizës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit