Një operacion masiv ndërkombëtar i koordinuar nga Policia Kombëtare e Ekuadorit, në bashkëpunim me Europol, DEA-n amerikane dhe autoritetet evropiane, ka çuar në shkatërrimin e një karteli të fuqishëm të trafikut të drogës, i lidhur ngushtë me mafian shqiptare.
Operacioni, i shtrirë në disa vende, ka rezultuar me pranga për 16 persona dhe sekuestrimin e një sasie rekord prej 7.64 ton kokainë, e cila në tregun evropian kap vlerën marramendëse të rreth 346 milionë dollarëve.
Hetimi kompleks nisi në tetor të vitit 2024, pas një sekuestrimi fillestar prej gjysmë ton droge në provincën El Oro. Për më shumë se një vit, agjentët gjurmuan rrjetin që operonte në provincat Guayas, Pichincha dhe El Oro, duke përdorur portet ekuadoriane për të nisur dërgesat e "kontaminuara" drejt destinacioneve kryesore në Evropë, si Belgjika dhe Holanda.
Ministri i Brendshëm, John Reimberg, njoftoi se gjatë aksionit u kryen 26 bastisje të njëkohshme.
"Kemi goditur strukturën në zemër. Ky rrjet kishte lidhje të drejtpërdrejta me shtetas shqiptarë, të cilët konsiderohen objektiva prioritarë në operacionet tona paralele në Spanjë dhe Evropë," deklaroi Reimberg.
Mes të arrestuarve spikasin emra me peshë në vend:
Salomón Padua: Ish-anëtar i Asamblesë, i dyshuar si pjesë kyçe e grupit të krimit të organizuar.
Hernán Ruilova: I arrestuar në Machala, i identifikuar si përgjegjës për logjistikën e kontaminimit të dërgesave në porte.
Përveç drogës, autoritetet kanë sekuestruar një pasuri të konsiderueshme që dëshmon luksin e organizatës:
14 automjete luksoze dhe bizhuteri të shtrenjta.
Mbi 800,000 dollarë kesh.
Armë zjarri dhe 20 pajisje celulare që pritet të zbardhin kontakte të tjera.
Ndërsa në Ekuador u godit baza, në Evropë vijuan operacionet paralele:
Victoria I (Holandë): Sekuestrimi i 2.5 tonëve drogë dhe arrestimi i 5 personave (holandezë dhe rumunë).
Victoria II: Sekuestrimi i 1.2 tonëve të tjerë.
Operacioni i tretë: Sekuestrimi i 3.2 tonëve dhe arrestimi i 3 shtetasve shqiptarë.
Ky sukses vjen në një kohë kur Ekuadori ndodhet nën gjendjen e jashtëzakonshme. Ministri Reimberg njoftoi se midis 15 dhe 30 marsit do të ndërmerren operacione të tjera në shkallë të gjerë në katër provinca. Ai theksoi se falë këtyre strategjive, vdekjet e dhunshme në vend pësuan një rënie prej 10% gjatë muajit shkurt.