Policia e Shtetit ndalon ‘kriminelin’ që lëvizte me motor elektrik

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.03.2026, 16:45

Një furgon policie dhe tre makina të tjera me sirena ndezur për të ndaluar një qytetar që lëvizte me motor elektrik. Katër mjete shtetërore, karburant, efektivë, zhurmë, spektakël force, për një skuter. Kjo është tabloja e rendit publik sot: demonstrim fuqie ndaj të dobëtit dhe heshtje përballë të fortit.

Askush nuk thotë se ligji nuk duhet zbatuar. Por ligji ka peshë dhe prioritet. Kur mobilizimi maksimal përdoret për të ndaluar një mjet elektrik, ndërsa qytetarët jetojnë me frikën e grabitjeve, dhunës dhe krimit të organizuar, mesazhi që jepet është i qartë: është më e lehtë të kapësh një skuter sesa një kriminel. Është më e sigurt të ndalosh një qytetar të zakonshëm sesa të përballesh me rrjete që kanë para, ndikim dhe mbrojtje.

Kjo nuk është çështje skuteri. Është çështje prioritetesh. Është çështje guximi institucional. Policia nuk duhet të jetë e fortë vetëm aty ku rreziku është zero. Autoriteti i shtetit nuk matet me sirena ndaj një qytetari pa precedent penal, por me aftësinë për të çmontuar bandat, për të kapur autorët e krimeve të rënda dhe për të garantuar siguri reale.

Kur forca përdoret në mënyrë disproporcionale, ajo nuk prodhon respekt, prodhon zemërim. Dhe kur qytetarët shohin katër makina për një skuter, por asnjë përgjigje për krimin që i kërcënon besimi ndaj strukturave të policisë do të jetë sërish zero.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit