Fundi i arratisë: Arrestohet në Tropojë vrasësi i Egli Pashollarit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.03.2026, 21:49

Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së Egli Pashollarit, ngjarje e rëndë e ndodhur 11 ditë më parë në zemër të kryeqytetit. Pas një ndjekjeje intensive dhe punës operative në terren, forcat e rendit kanë finalizuar operacionin e koduar “Distanca”, duke lokalizuar dhe arrestuar në Tropojë shtetasin Gazment Buçpapa, 40 vjeç.

Arrestimi në vendlindje Buçpapa ishte shpallur në kërkim pasi më datë 20 shkurt, pas një konflikti të çastit në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, goditi me thikë për vdekje 31-vjeçarin Egli Pashollari. Autori ishte larguar menjëherë nga vendngjarja dhe ishte fshehur në vendlindjen e tij në Tropojë, ku mbahej nën mbikëqyrje të rreptë nga policia përpara se të bëhej ndërhyrja finale.

Krimi i rëndë ndodhi në mes të ditës, sapo viktima kishte dalë nga makina e tij. Sipas hetimeve të deritanishme, Pashollari u sulmua pas një debati, ku pjesë e përleshjes raportohet të ketë qenë edhe bashkëshortja e autorit. Goditjet me thikë rezultuan fatale për 31-vjeçarin, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë konfirmoi se operacioni u krye në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës. "Si rezultat i veprimeve operacionale profesionale, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, për veprat penale 'Vrasja me dashje' dhe 'Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta'," thuhet në njoftimin zyrtar.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa pritet që autori të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit