Gruaja e udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ka ndërruar jetë pas plagëve të marra gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite, raporton televizioni shtetëror iranian.
Sipas Press TV, Mansoureh Khojasteh, 78 vjeç, e cila ishte në koma që nga sulmet e së shtunës, nuk arriti t’i mbijetonte plagëve. Ajo ishte martuar me Khamenein në vitin 1964.
Sulmet ajrore amerikane dhe izraelite erdhën pas javësh tensioni midis SHBA-së dhe Iranit. Menjëherë pas këtyre operacioneve, Irani reagoi duke goditur Izraelin dhe disa shtete të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite.
Në një njoftim të saj, gazeta The Times of Israel konfirmon se Mansoureh Khojasteh kishte qëndruar në gjendje kome që nga momenti i sulmit, ndërsa vdekja e saj vjen pas humbjes së Khameneit gjatë të njëjtës periudhë.
Donald Trump, reagoi menjëherë në platformën Truth Social, duke e cilësuar Khamenein si “një nga njerëzit më të këqij në histori” dhe duke thënë se vdekja e tij përbën drejtësi për amerikanët dhe për viktimat e regjimit iranian në të gjithë botën.
Sipas një deklarate të Komandës Qendrore Amerikane (Centcom), numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në operacionin kundër Iranit është rritur në katër. Tre viktima u konfirmuan gjatë fundjavës, ndërsa një tjetër u raportua më pas gjatë hënës.