Një qytetare ka denoncuar pranë redaksisë tonë një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore dhe tregtimin e produkteve ushqimore të skaduara.
Ajo ka treguar se disa ditë më parë, vjehrri kishte blerë një salcë kosi në një market në Cakran të cilin më pas e kanë konsumuar prindërit e tij, të dy në moshë të thyer.
Qytetarja tregon se, pasi është kthyer nga Vlora dhe ka tentuar t’u japë sërish nga e njëjta salcë, ka ndjerë menjëherë një erë të rëndë dhe të pakëndshme sapo ka hapur kapakun.
“Era ishte tepër e fortë, sikur produkti të ishte i prishur. Menjëherë kontrollova datën e skadencës dhe mbeta e shokuar kur pashë që produkti kishte skaduar që më 30/10/2024”, shprehet ajo në denoncimin e saj.
Ajo thotë se është e papranueshme që produkte të tilla të mbahen ende në frigorifer për t’u shitur klientëve, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve, sidomos të të moshuarve.
Ajo i bën thirrje Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të ushtrojë kontrolle të menjëhershme në subjektet tregtare për të verifikuar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore.
Pasi shëndeti i qytetarëve nuk mund të vihet në rrezik nga papërgjegjshmëria apo mungesa e kontrolleve. AKU duhet të bëjë punën që i takon, duke garantuar që në treg të mos qarkullojnë produkte të skaduara apo të rrezikshme për konsum.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje JOQ Albania,Dua të denoncoj një ngjarje shumë shqetësuese që ka ndodhur para disa ditësh. Vjehrri im ka blerë një krem salce në një market në Cakran, të cilën e kanë konsumuar prindërit e tij, të dy në moshë të thyer. Sot, kur u ktheva nga Vlora dhe doja t’u jepja përsëri pak nga kjo salcë, ndjeva menjëherë një erë shumë të rëndë dhe të pakëndshme. Sapo hapa kapakun, aroma ishte tepër e fortë, sikur produkti të ishte i prishur. Menjëherë kontrollova datën e skadencës dhe mbeta e shokuar kur pashë që produkti kishte skaduar që më 30/10/2024. Është e papranueshme që një produkt kaq shumë i skaduar të mbahet ende në frigorifer për t’u shitur klientëve, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e njerëzve, sidomos të të moshuarve. E bëj këtë denoncim që raste të tilla të mos përsëriten dhe të kontrollohen më seriozisht produktet ushqimore që shiten për konsumatorët. Faleminderit.