Një lajm i hidhur ka mbërritur në redaksinë tonë mbrëmjen e sotme. Gledis Zefi, 19-vjeçari, i cili mbeti i plagosur rëndë pak ditë më parë në zonën e “Selvisë” në Tiranë, ka ndërruar jetë në spital.
Ngjarja ndodhi paraditen e 24 shkurtit, pas një përplasjeje mes një automjeti dhe një motori ku udhëtonin dy të rinjtë, Gledis Zefi dhe Abdurrahman Bollati, të cilët u transportuan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ku gjendja e 19-vjeçarit u raportua kritike që në momentet e para.
Ndërsa i riu tjetër raportohet se ndodhet në gjendje më të stabilizuar, Gledisi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra pavarësisht trajtimit mjekësor gjatë këtyre ditëve.
Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit do të zhvillohet këtë të dielë, më 1 mars, në orën 11:30, ku i ndjeri do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.
Redaksia e JOQ Albania i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zefi, të afërmve dhe miqve të 19-vjeçarit.