Kryeministri i Israel, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se ekzistojnë “shumë shenja” që Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të jetë vrarë gjatë sulmeve të fundit të ndërmarra nga Izraeli dhe SHBA.
Në një deklaratë me video, Netanyahu u shpreh se “këtë mëngjes shkatërruam kompleksin e tiranit Khamenei”, duke e akuzuar atë se për më shumë se 30 vite ka përhapur terrorizëm në botë, ka shtypur popullin iranian dhe ka punuar vazhdimisht për shkatërrimin e shtetit të Izraelit.
“Ka shumë shenja që ky tiran nuk jeton më,” – tha ai, duke shtuar se gjatë operacionit janë eliminuar zyrtarë të lartë të regjimit iranian, komandantë të Gardës Revolucionare dhe figura të rëndësishme të programit bërthamor.
Sipas kryeministrit izraelit, operacionet ushtarake do të vijojnë në ditët në vijim, me objektiva të tjerë që ai i cilësoi si pjesë e “regjimit të terrorit”.
Deri në këto momente, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar pretendimet për vdekjen e Khameneit dhe më herët gjatë ditës kishin deklaruar se ai ndodhet në siguri të plotë.
Situata mbetet e paqartë dhe tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen, ndërsa deklaratat e forta nga të dyja palët shtojnë pasigurinë për zhvillimet e orëve dhe ditëve në vijim.