Pas raportimeve të mediave izraelite se Udhëheqësi Suprem i Iranit mund të jetë vrarë gjatë sulmeve të fundit ajrore, ka ardhur reagimi zyrtar nga Teherani.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi për ABC News se presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei janë “shëndoshë e mirë” dhe plotësisht të sigurt.
Më herët gjatë ditës, mediat izraelite raportuan se sulmet e koordinuara nga Izraeli dhe SHBA kishin në shënjestër figura të larta të regjimit iranian. Sipas këtyre raportimeve, “disa zyrtarë të lartë” janë eliminuar, por pa dhënë detaje konkrete mbi identitetin e tyre.
Disa kanale televizive izraelite pretenduan se kishte “tregues” që goditjet mund të kenë qenë fatale për Khamenein, megjithatë nuk u publikua asnjë konfirmim zyrtar apo provë e drejtpërdrejtë.
Reagimi i Teheranit vjen në një moment tensioni ekstrem në rajon, ndërsa përplasjet ushtarake mes palëve kanë hyrë në një fazë të hapur dhe me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm.
Deri tani, nuk ka prova të pavarura që të konfirmojnë pretendimet fillestare për vrasjen e Udhëheqësit Suprem, ndërsa deklarata e fundit e autoriteteve iraniane synon të shuajë spekulimet që qarkulluan gjatë orëve të fundit.
Situata mbetet në zhvillim, me informacione që ndryshojnë me shpejtësi dhe me rajonin që qëndron në alarm maksimal.