Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka marrë një tjetër dimension dramatik, pasi Irani ka ndërmarrë një valë sulmesh me raketa dhe dronë në disa vende të rajonit, si kundërpërgjigje ndaj goditjeve të mëparshme nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Sipas autoriteteve, objektivat e Teheranit kanë qenë bazat amerikane dhe instalacione të tjera strategjike në rajon. Mes vendeve të prekura përmenden Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini.
Në Bahrain, Ministria e Brendshme njoftoi se disa ndërtesa banimi në kryeqytetin Manama janë vënë në shënjestër.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, të verifikuara nga Al Jazeera, tregojnë momentin kur një dron iranian godet një kullë të lartë në Manama. Në video dëgjohet një shpërthim i fuqishëm, ndërsa pas goditjes shpërthen një zjarr i madh dhe ngrihen re të dendura tymi mbi zonë.
Autoritetet lokale kanë nisur menjëherë operacionet emergjente për vlerësimin e dëmeve dhe menaxhimin e situatës, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të rriten me ritme të shpejta.