Një 23-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga Carabinieria e Riccione, pasi u kap me mbi 1 kilogram kokainë të fshehur në trup dhe në banesë.
Arrestimi erdhi gjatë një shërbimi rutinë kontrolli në territor, kur efektivët vunë re një lëvizje të dyshimtë pranë një lokali në Riccione. Një makinë e vogël ndaloi për pak sekonda, mori dhe zbriti shpejt një person, i njohur si përdorues droge. Ky i fundit u ndalua menjëherë dhe dorëzoi dy doza kokaine që sapo i kishte blerë.
Pas kësaj, policia nisi kërkimin për automjetin, duke e lokalizuar dhe ndaluar në një nga rrugët kryesore të qytetit. Në timon u identifikua 23-vjeçari shqiptar, i cili rezulton banues në provincën e Pesaro-s.
Gjatë kontrollit personal, atij iu gjetën të fshehura në të trup 23 doza të termosalduara me rreth 15 gramë kokainë, si dhe 110 euro cash.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku u zbulua një sasi e konsiderueshme droge. Në dhomën e gjumit, të fshehura mes dyshekut dhe komodinës, u gjetën 4 pako të vulosura me mbi 600 gramë kokainë, 4 mbështjellëse të tjera me rreth 300 gramë si dhe 32 doza të tjera me 30 gramë.
Në total, autoritetet sekuestruan mbi 1 kilogram kokainë, dy peshore elektronike, materiale për paketim dhe mbi 2 mijë euro të mbajtura në kasafortë, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Me urdhër të Prokurorisë, 23-vjeçari është dërguar në burgun e Rimini dhe ndodhet në dispozicion të autoriteteve. Ndërkohë, blerësi është referuar në Prefekturë si përdorues i lëndëve narkotike.