Ajo që u prezantua si megaprojekti që do të transformonte Durrësin në "Monakon e Ballkanit", sot rezulton të jetë një skemë e mbushur me pikëpyetje, ritme zhgënjyese dhe kosto të larta për shtetin shqiptar. Tre vite pas nisjes së bujshme, shifrat tregojnë një realitet krejt tjetër nga ai i premtuar nga Kryeministri Rama dhe biznesmeni Mohamed Alabbar.
Nga miliardat e premtuara, sot shohim vetëm një kantier që ecën me hapa breshke dhe një skemë financimi ku rreziku bie mbi qytetarët, ndërsa fitimi mbetet te privati.
Premtimi fillestar fliste për 2.3 miliardë euro investim të huaj, por dokumentet zbulojnë një të vërtetë tronditëse. Kompania investitore "Eagle Hills" ka planifikuar të investojë nga paratë e veta vetëm 80 milionë euro.
Edhe më skandaloz është fakti se për periudhën 2023–2024, kapitali real i investuar nga privati llogaritet vetëm 10 milionë euro, rreth 12% e asaj që ishte zotuar. Pjesa tjetër e projektit, mbi 2 miliardë euro, pritet të financohet nga paratë e vetë qytetarëve përmes parashitjeve të apartamenteve. Pra, nuk kemi të bëjmë me një investim të huaj që sjell kapital, por me një ndërtues që po përdor tokën publike për të bërë biznes me paratë e blerësve.
Në këtë marrëveshje, shteti shqiptar duket se ka dalë "me këpucë të kuqe". Ndonëse zotëron 33% të aksioneve, kontributi i shtetit (toka publike, taksat e falura dhe kostoja e zhvendosjes së portit në Porto Romano) arrin në rreth 665 milionë euro.
Në fund të projektit, shteti pritet të marrë mbrapsht vetëm 515 milionë euro. Rezultati? Një humbje neto prej 150 milionë eurosh për arkën e shtetit. Ndërkohë, pala private, me një investim fillestar qesharak, projekton fitime marramendëse mbi 570 milionë euro.
A kemi të bëjmë vërtet me një investim strategjik që do të zhvillojë turizmin, apo thjesht me një projekt pasurish të paluajtshme ku shteti fal tokën dhe investitori merr fitimet pa rrezikuar asgjë? Shifrat e deritanishme anojnë nga kjo e dyta, duke e lënë Durrësin dhe shqiptarët në pritje të një "mrekullie" që duket se po tretet në letër.