Shikoni sa kollaj mund të vdesësh në Tiranë, edhe kur i zbaton rregullat

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.02.2026, 21:19

Një video rrëqethëse ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke dëshmuar se si jeta e një këmbësori mund të vihet në rrezik ekstrem brenda sekondave, edhe kur ai respekton çdo rregull të qarkullimit rrugor.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:20, në zonën e Unazës, saktësisht poshtë rrethrrotullimit të Shkozës, në krahun që zbret drejt Brrylit.

Sipas dëshmisë së qytetarit që ka filmuar skenën, një mjet luksoz dhe i shtrenjtë ka sfiduar hapur vdekjen dhe ligjin. Ndërkohë që semafori ishte i kuq, drejtuesi i mjetit nuk ka ndaluar, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi.

"Mirëmbrëma JOQ, në orën 19:20, dy semaforë me të kuqe! Ky mjet i shtrenjtë u fut me të kuqe dhe për pak sa nuk shtypi një burrë që po kalonte në vizat e bardha sipas rregullave," – shkruan qytetari i indinjuar për JOQ.

Pamjet tregojnë momentin kritik ku këmbësori, i cili po kalonte rrugën mbi vijat e bardha, është gjendur përballë "bishës" prej hekuri që nuk kishte ndërmend të frenonte. Ky është një rast i pastër i papërgjegjshmërisë në timon, ku mjetet e fuqishme përdoren si "leje" për të shkelur rregullat, duke rrezikuar jetën e qytetarëve të pafajshëm.

Ky denoncim vjen si një thirrje e fortë për autoritetet policore që të identifikojnë drejtuesin e mjetit përmes kamerave të sigurisë në zonë, përpara se një shkelje e tillë të kthehet në një tragjedi të pakthyeshme.

Sa vlen jeta e një qytetari përballë një makine luksoze në rrugët e Tiranës? Videoja flet vetë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit