Një situatë shqetësuese është regjistruar në zonën e Paskuqanit, ku banorët denoncojnë lëvizjen e kamionëve të rëndë në një rrugë ku, sipas tyre, qarkullimi i mjeteve të tonazhit të lartë është i ndaluar.
Sipas pamjeve të siguruara, gjatë punimeve për ndërtimin e disa vilave në zonë, një kamion ka goditur dhe shembur një shtyllë të ndriçimit publik. Si pasojë, zona ka mbetur pa ndriçim, duke rritur rrezikun për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve.
Banorët shprehen të revoltuar, pasi shprehen se ndërkohë që për qytetarët e zakonshëm zbatohen rregulla strikte për qarkullimin, mjetet e tonazhit të rëndë që furnizojnë kantierët e ndërtimit po lejohen të hyjnë lirshëm në rrugë të ngushta dhe të papërshtatshme për trafik të tillë.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve për të verifikuar nëse ka leje për qarkullimin e këtyre mjeteve në këtë segment rrugor, si dhe për të marrë masa për riparimin e dëmeve të shkaktuara.