Enea Karakaçi ngjitet në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si një emër që deri dje punonte në hije, por me një peshë të rëndë besnikërie ndaj Belinda Ballukut. I rritur politikisht nën sqetullën e ish-ministres, ai u katapultua në drejtimin e OSHEE-së, aty ku menaxhohen miliarda lekë investime dhe tenderë energjetikë.
Por, ky kalim nga zyrat teknike në majën e dikasterit nuk është aq i pastër sa duket në letër, pasi Karakaçi e merr detyrën me hijen e SPAK-ut mbi shpinë.
Emri i tij doli në dritë jo për ndonjë arritje publike, por kur agjentët e BKH-së i zbarkuan në zyrë dhe në banesë për kontrolle blic. Atij iu sekuestruan celulari dhe kompjuteri si pjesë e një hetimi që përfshin akuza të rënda si shpërdorimi i detyrës, korrupsioni dhe shkelja e barazisë në tenderë.
Ndërkohë që juglindja e vendit është e paralizuar nga rrugët e shkërmoqura, Rama ka zgjedhur të vendosë në krye të punëve një njeri që celularin e ka në duart e prokurorëve. Ky emërim shihet më shumë si një lëvizje për të ruajtur kontrollin e Ballukut mbi tenderët e infrastrukturës, sesa si një zgjidhje për gropat që po gllabërojnë Shqipërinë.