Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një video shqetësuese që po qarkullon në Instagram, ku shfaqet një fëmijë i mitur duke drejtuar një automjet në një zonë të banuar.
Nga pamjet e siguruara, i mituri shihet i ulur në sediljen e shoferit, me duar në timon, ndërsa mjeti është në lëvizje. Videoja filmohet nga një tjetër i mitur që ndodhet brenda automjetit dhe bashkëbisedon me të, duke përmendur se po shkojnë atje ku ndodhen prindërit.
Nga këndi i filmimit nuk dallohet prania e një personi të rritur në sediljet e përparme dhe nuk mund të konfirmohet nëse ka pasur ndonjë të rritur në automjet në momentin e drejtimit të mjetit. Gjithashtu, nga pamjet nuk përcaktohet qartë vendndodhja, megjithëse dyshohet se videoja mund të jetë filmuar në Shqipëri.
Rasti konsiderohet alarmant, pasi drejtimi i automjetit nga një i mitur përbën rrezik serioz për jetën e tij, të pasagjerëve dhe të qytetarëve të tjerë në rrugë. Pamje të tilla ngrenë shqetësime mbi nivelin e mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë prindërore.
JOQ Albania fton institucionet përkatëse të verifikojnë rastin dhe të marrin masat e nevojshme nëse rezulton i vërtetë.