Një aksident është shënuar pak më parë në autostradën e vjetër Tiranë–Durrës, në segmentin Kombinat–Pezë, në afërsi të Vaqarrit.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë tonë, një automjet ka përfunduar në një gropë (kanal) të hapur në mes të rrugës, si pasojë e punimeve që po kryhen në këtë aks.
Ajo që e bën situatën alarmante është fakti se, sipas qytetarëve, në vendngjarje mungonte çdo lloj sinjalistike paralajmëruese. Në pamjet e dërguara në redaksi shihet mjeti i përfunduar në kanalin e hapur, ndërsa zona nuk rezulton e sinjalizuar siç kërkojnë standardet e sigurisë rrugore.
Qytetari që ka raportuar rastin shprehet:
“Ne zonën e Vaqarrit, gropë e hapur në mes të rrugës, pa asnjë sinjalistikë. Makina ka rënë në kanal. Fatmirësisht pa të lënduar dhe pa dëme serioze.”
Fatmirësisht nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të mëdha materiale, por situata ngre shqetësime serioze për sigurinë e qarkullimit në këtë segment.
Autostrada e vjetër Tiranë–Durrës prej kohësh njihet për degradimin e saj. Shumë qytetarë kanë denoncuar dëmtime të automjeteve dhe rrezikshmëri gjatë kalimit në këtë rrugë, sidomos në zona ku kryhen punime pa masa të qarta sigurie.
Mungesa e sinjalistikës në zona ku hapen kanale apo gropa për punime përbën rrezik real për aksidente më të rënda, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes apo në kushte të këqija atmosferike.