Detaje të reja janë mësuar nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin “Bajram Curri–Qafë Morinë”, në fshatin Kasaj, rreth 3 kilometra nga dogana e Qafë Morinës.
Viktima është identifikuar si Izmir Kurmeka, 34 vjeç, banues në Tropojë. Ai humbi jetën në vendngjarje pasi automjeti që drejtonte doli nga rruga dhe përfundoi jashtë saj, pas humbjes së kontrollit në një segment të rrezikshëm.
Sipas informacioneve, Izmiri ishte vëllai i gjashtë motrave dhe prej pak kohësh kishte humbur edhe të atin. Ai ka lënë pas një vajzë të vogël.
Në automjet udhëtonte edhe Redon Dollapaj, 38 vjeç, infermier i urgjencës së Bajram Currit. Mësohet se gjatë rrotullimeve të mjetit dhe rënies në greminë, ai është nxjerrë jashtë nga makina. Aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim mjekësor në Kosovë.
Aksidenti ka ndodhur në një segment që banorët e konsiderojnë tejet problematik. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja ndodhet një shtyllë e madhe elektrike në mes të rrugës, e cila ndan korsitë, si dhe një kthesë e fortë që e bën zonën të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës.
Banorët e zonës e cilësojnë këtë segment si “rrugë vdekje”, duke kërkuar ndërhyrje për rritjen e sigurisë rrugore dhe shmangien e tragjedive të tjera.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.