“Doktor, mos jeni shqiptar?”, nëna falënderon publikisht mjekun që e operoi në Gjermani

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.02.2026, 19:54

Një shqiptare që jeton prej vitesh në Gjermani i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ndarë një histori personale, që sipas saj meriton të bëhet publike për një arsye të vetme: mirënjohjen.

Nëna e tre fëmijëve, ku më e vogla është vetëm 6-vjeçe, tregon se rreth një muaj më parë u përball me një nga momentet më të vështira të jetës së saj.

Ajo nisi të ndjente dhimbje të forta barku dhe u paraqit te mjeku i familjes, i cili e referoi menjëherë për në spital. Pas ekzaminimeve dhe një skaneri, ajo mori lajmin që askush nuk do të donte ta dëgjonte: dyshime për tumor.

Fillimisht iu krye biopsia dhe pas një jave priti me ankth përgjigjen. Më pas iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Operacioni rezultoi me sukses.

Pas operimit, mjeku që e kishte operuar shkoi ta kontrollonte personalisht dhe e siguroi se gjithçka kishte shkuar shumë mirë. Në bisedë e sipër, ajo kuptoi nga theksi se ai nuk ishte gjerman. E shtyrë nga intuita, mes dhimbjesh dhe emocionesh, e pyeti nëse ishte shqiptar.

Përgjigjja ishte “po”.

Mjeku që i shpëtoi jetën është Genart Mero, një mjek shqiptar i specializuar në Gjermani.

Ajo shprehet se është ndjerë me fat që në një moment kaq të vështirë të kishte përballë një mjek shqiptar, të cilin e përshkruan si profesionist, të përkushtuar dhe mbi të gjitha, njeri me zemër.

Në një kohë kur shpesh dëgjojmë lajme negative, histori si kjo janë një kujtesë se profesionalizmi dhe zemra shqiptare vazhdojnë të shkëlqejnë edhe jashtë vendit.

Mesazhi i plotë i qytetares:

Përshëndetje JOQ Albania!

Dëshiroj të tregoj një histori timen, por do të doja të mbetesha anonim. Ju lutem ma postoni.

Unë kam vite që jetoj në Gjermani. Para një muaji u ndjeva keq; jam nënë me tre fëmijë, ku më e vogla ime është vetëm 6 vjeçe. Pata dhimbje barku dhe shkova te mjeku i familjes, i cili më dha një rekomandim për në spital.

Shkova atje me bashkëshortin tim dhe më thanë se duhet të bëja një skaner. Mbas tri ditësh bëra skanerin dhe më thanë se isha me tumor. Duhej të bëja një ndërhyrje, një operacion, por në fillim duhej bërë biopsia. Pasi bëra biopsinë, mbas një jave mora përgjigjen dhe u operova.

Pas operacionit, erdhi të më vizitonte doktori që më operoi. Më kontrolloi dhe më tha: "Je shumë mirë, operacioni doli me sukses". E falënderova dhe nga theksi që kishte kur fliste, e kuptova që nuk ishte gjerman. Më shtyu kurioziteti pasi e ndjeja që ishte shqiptar. Me gjithë ato dhimbje që kisha, e pyeta: "Doktor, mos jeni shqiptar?". "Po," më tha, "jam shqiptar nga Shqipëria".

Ndaj e shkrova këtu historinë time. Doja ta falënderoja me shpirt e me zemër doktor Genart Meron. Është një doktor i specializuar në Gjermani, një njeri i dashur dhe shumë i edukuar. I uroj doktor Meros që Zoti qoftë me të dhe i dhëntë mbarësi kudo që të jetë. Unë kam qenë me fat që jam operuar nga ai doktor.

Dua t'u them "bravo" doktorëve shqiptarë që janë humanë dhe ndihmojnë të gjithë njerëzit me një punë të shkëlqyer. Një bravo të madhe për doktor Meron, i cili linte çdo punë e vinte më kontrollonte edhe kur ishte i lodhur nga puna e tërë natës. Për çdo gjë që ka bërë: Faleminderit dhe Allahu e ndihmoftë!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit