Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale pretendon se një influencere kineze humbi rreth 140 mijë ndjekës pothuajse menjëherë, pasi filtri i bukurisë iu çaktivizua për pak sekonda gjatë një transmetimi live.
Në klipin që po bëhet viral, i cili zgjat vetëm katër sekonda, pamjet alternohen mes versionit të saj të filtruar, me lëkurë shumë të lëmuar, të zbehtë dhe tipare “kukulle”, dhe pamjes natyrale, ku shfaqet me lëkurë 'më të pjekur' dhe ton më të ngrohtë. Pas disa sekondash, filtri rikthehet sërish.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë të verifikuar që konfirmon se influencerja ka humbur realisht 140 mijë ndjekës, apo nëse vetë incidenti është autentik. Pretendimi buron kryesisht nga postime në rrjete sociale, ndërsa identiteti i gruas në video mbetet i panjohur.
Videoja ka nxitur reagime të përziera. Disa përdorues e akuzojnë për mashtrim të ndjekësve, ndërsa shumë të tjerë kanë shkruar se e preferonin pamjen e saj natyrale, duke e quajtur “më të bukur” dhe “më të vërtetë” pa filtra.
Ngjarja ka rihapur debatin mbi ndikimin e filtrave të bukurisë dhe presionin për perfeksion në rrjetet sociale, si edhe mbi hendekun mes jetës reale dhe asaj që shfaqet online.
Rasti është krahasuar edhe me incidentin e vitit 2019 që përfshinte streamer-en kineze Your Highness Qiao Biluo, e cila u bë virale pasi filtri i saj u çaktivizua gjatë një transmetimi live, duke zbuluar se ishte 58-vjeç, ndonëse ishte ndjekur për pamjen e saj të re dhe zërin “të ëmbël”.
Në një kohë kur imazhi shpesh peshon më shumë se përmbajtja, rasti, i vërtetë apo jo, tregon sa e brishtë mund të jetë fama e ndërtuar mbi filtra.