NASA ka caktuar 6 marsin si datën e synuar për nisjen e misionit Artemis II, duke shënuar rikthimin e astronautëve në orbitën e Hënës për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh.
Katër astronautë do të nisen në një udhëtim 10-ditor rreth anës së largët të Hënës dhe më pas do të kthehen në Tokë. Ky mision konsiderohet si hapi vendimtar përpara një uljeje të ardhshme në sipërfaqen hënore.
Artemis II do të jetë misioni i parë me ekuipazh në kuadër të programit Artemis. Ai vjen pas fluturimit testues pa astronautë të Artemis I, i cili verifikoi funksionimin bazë të raketës dhe kapsulës.
Gjatë këtij misioni, astronautët do të udhëtojnë më larg se çdo ekuipazh tjetër në histori, duke fluturuar rreth anës së padukshme të Hënës. Qëllimi kryesor është testimi në kushte reale i sistemit të raketës Space Launch System (SLS) dhe kapsulës Orion.
Vendimi për datën e nisjes erdhi pas një “wet dress rehearsal” të suksesshëm në Kennedy Space Center. Ky është një test kritik para lëshimit, ku raketa furnizohet me karburant dhe kalon të gjithë procedurën e numërimit mbrapsht, pa u ngritur realisht në hapësirë.
Ky ishte tentimi i dytë për realizimin e kësaj prove, dhe suksesi i saj konsiderohet një hap kyç drejt gatishmërisë operacionale të misionit.
Programi Artemis synon jo vetëm një rikthim simbolik në Hënë, por krijimin e një pranie të qëndrueshme atje, si bazë për misione të ardhshme drejt Marsit. Misioni i ardhshëm me ulje në sipërfaqe do të mbështetet drejtpërdrejt në të dhënat dhe përvojën që do të sigurojë Artemis II.
Pas epokës së Apollo program në vitet ’60 dhe ’70, kjo nisje shënon një kapitull të ri në eksplorimin e hapësirës së thellë, në një kohë kur gara dhe bashkëpunimi ndërkombëtar përtej orbitës së Tokës po marrin një dimension të ri.
6 marsi pritet të jetë një datë historike, momenti kur njerëzimi rikthehet sërish në pragun e Hënës.