Qytetari filmon policin duke marrë ryshfet në autostradë, “mbledh taksën e rrugës”

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 21.02.2026, 15:44

Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë me një denoncim serioz, duke akuzuar një punonjës të Policisë Rrugore për marrje ryshfeti në autostradën Tiranë–Durrës.

Sipas qytetarit, efektivi, të cilin ai e identifikon me emër, patrullon çdo ditë me motor në këtë aks dhe ndalon drejtues mjetesh. Në vend të procedurave ligjore për vendosjen e gjobave, ai pretendon se u kërkohen para në dorë, pa dokumentacion zyrtar.

Qytetari ka vënë në dispozicion të redaksisë një video, ku sipas tij, shfaqet momenti kur ai i dorëzon efektivit shumën prej 10 mijë lekësh. Ai shprehet se kjo situatë nuk është rast i izoluar, por një praktikë e përsëritur, që sipas tij ka krijuar shqetësim tek drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë çdo ditë në këtë segment rrugor.

Në mesazhin e tij, qytetari thekson se ndihet i detyruar të paguajë për të shmangur pasoja të mëtejshme, ndërsa shton se disponon edhe materiale të tjera filmike nga raste të ndryshme.

Rasti kërkon verifikim të plotë institucional. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, institucioni përgjegjës për hetimin dhe arrestimin e punonjësve të policisë kur dyshohen për shkelje të ligjit, pritet të shqyrtojë rastin dhe të ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me kompetencat ligjore.

Transparenca dhe zbatimi i ligjit janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë, ndërsa çdo pretendim për korrupsion kërkon trajtim të menjëhershëm dhe profesional nga organet kompetente.

Mesazhi i plotë i qytetarit:

"Përshëndetje JOQ doja te ngrija një shqetësim qe vetëm me ju mund ta ndajmë duke qen se keni treguar paanshmëri dhe seriozitet duke ruajtur dhe anonimatin.
Një punonjës policie qarkullimi rrugor te Tiranës Rustem Sula u be kaq kohe qe e ka fillu duke mbledh taksat e rrugës tiranë Durrës pa u vendos trau akoma. Ky polic prezantohet se duhet me punu fort me kap taksen mujore e nuk ma ndjen as për AMP e as për njeri jam i mbrojtur nga i madhi
Me shpresën se ju do e postoni Ju lutem bëni diçka se na griu nga leket për dite kemi frik me kalu ne ketë aks rrugor. Po pse ne do te paguajmë taksen mujore te këtij polici me ja ç’u te madhit qe i referohet ky. Kemi dhe foto te tjera te ditëve te ndryshme Na griu për Zotin Po nga njëra anë se ka dorën e rëndë, 1000-2000 merr por për ditë bëhet e rëndë pz. Menduam me e nda me ju këtë shqetësim mos të merrem me ata tv se janë gjobaxhinjë por si ju si faqe kena respekt. Po 2 here njëherë shokut njëherë mua prandaj i bëra video për t’ju dërguar juve Se ne lëvizim çdo dite ne autostrade"

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit