Atentati i 16 tetorit poshtë shtëpisë së gazetarit të mirënjohur italian, Sigfrido Ranucci, ka marrë një kthesë të fortë investigative që kalon Adriatikun. Media italiane "LaCapitaleNews" ka bërë me dije se Drejtoria Distrektuale Antimafia (DDA) e Romës, nën drejtimin e zëvendësprokurores Ilaria Calò dhe prokurorit Carlo Villani, po thellon hetimet mbi atë që konsiderohet si "pista shqiptare".
Sipas hetuesve, motivi i mundshëm i sulmit me eksploziv lidhet me dokumentarin e bujshëm "(Hot) Spot Albanese", të transmetuar në prill 2024. Ky shërbim investigativ trajtonte marrëveshjen mes Romës dhe Tiranës për qendrat e emigrantëve, duke përmendur emra të lartë të politikës shqiptare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, si bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama.
Vëmendja e antimafias italiane dhe karabinierëve të njësive hetimore në Frascati është përqendruar te Artur Shehu, një 58-vjeçar me origjinë nga Vlora, i cili aktualisht jeton në Miami, SHBA. Në emisionin e Ranuccit, Shehu përshkruhej si një figurë me lidhje të dyshuara me krimin e organizuar ndërkombëtar, përfshirë "Cosa Nostra-n".
Raporti i "Report" hidhte dritë mbi një operacion ku Shehu i kishte dhuruar 30 mijë metra katrorë tokë në Vlorë fondacionit të gjeneralit Fabrizio Lisi, në atë kohë kreu i Interpolit në Shqipëri, një lëvizje që sipas gazetarëve ishte ndërmjetësuar nga Engjëll Agaçi.
Hetuesit italianë tashmë po kryqëzojnë informacionet e mbledhura në Shqipëri me lëvizjet e Shehut në Florida. Megjithëse akuzat janë ende në fazë paraprake, ky zhvillim konfirmon se sulmi ndaj drejtuesit të "Report" po trajtohet si një çështje me peshë të madhe politike dhe kriminale. Ndërsa pista shqiptare është aktualisht më e forta, prokuroria po mban hapur edhe pista të tjera, duke pasur parasysh natyrën delikate të investigimeve që Ranucci ka kryer ndër vite mbi mafian dhe korrupsionin.