Tirana është shndërruar zyrtarisht në një nga makthet më të mëdha evropiane për këdo që ëndërron të blejë një shtëpi. Sipas raportit më të fundit të platformës prestigjioze ndërkombëtare Numbeo, kryeqyteti shqiptar është renditur si qyteti i dytë më i papërballueshëm në të gjithë kontinentin, duke lënë pas metropole të fuqishme ekonomike. Ky klasifikim bazohet në raportin e çmimeve të pronave kundrejt të ardhurave të qytetarëve, ku Tirana shënon koeficientin shqetësues 17.9, duke u mposhtur vetëm nga Lisbona e Portugalisë, e cila mban vendin e parë me 19.4.
Ky tregues pasqyron realitetin e hidhur se sa herë më i lartë është çmimi i një banese krahasuar me të ardhurat vjetore të një familjeje. Sa më i lartë ky numër, aq më e paarritshme bëhet prona për banorët vendas. Pozicionimi i Tiranës në këtë listë është tronditës, pasi ajo ka kaluar qytete si Spliti, Milano dhe Beogradi. Për të kuptuar kontrastin, mjafton të shohim fqinjtë tanë dhe vendet e zhvilluara: ndërsa Milano qëndron në kuotën 17.8, Roma është ndjeshëm më e lirë për banorët e saj me 14.6, ndërsa qytetet spanjolle si Madridi dhe Barcelona rezultojnë shumë më të përballueshme, me raporte që variojnë nga 11.4 në 12.4.
Edhe brenda rajonit të Ballkanit, Tirana mban "flamurin" e shtrenjtësisë. Megjithëse tregjet imobiliare në të gjithë fqinjët tanë kanë pasur rritje, ato sërish mbeten më pas se kryeqyteti ynë; Shkupi ka një raport prej 13.4, ndërsa Zagrebi rezulton shumë më i përballueshëm se Tirana me një koeficient prej 11.4. Ky hendek i madh vjen si pasojë e një rritjeje galopante të çmimeve në Shqipëri, ku në zonat qendrore apo në projektet e reja, metri katror ka kapërcyer kufijtë e 2000 deri në 3000 euro.
Nga ana tjetër, pagat në Shqipëri nuk e kanë ndjekur këtë ritëm marramendës. Me një pagë mesatare që luhatet mes 600 dhe 750 eurove, blerja e një apartamenti kërkon tashmë sakrifica ekstreme ose kredi të mëdha që zgjasin me dekada. Në fund të ditës, raporti i Numbeo konfirmon një paradoks të trishtë: megjithëse Shqipëria mbetet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Evropë, shtëpitë në kryeqytetin e saj kushtojnë sikur të ishin në qendrat më të pasura të botës.