Një qytetare nga Elbasani i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast që lidhet me sigurinë ushqimore, pas blerjes së një pakete me hurma arabie, të cilat, sipas saj, rezultuan të krimbura menjëherë pas hapjes.
Ajo tregon se produktin e kishte blerë për ta konsumuar në syfyr, në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, periudhë gjatë së cilës besimtarët myslimanë agjërojnë dhe përzgjedhin me kujdes ushqimet që konsumojnë.
Sipas saj, hurmat janë blerë në një pikë të rrjetit Big Market në Elbasan, në zonën e ish-Kinemasë, gjë e cila shoqërohet dhe me kuponin tatimor përkatës.
Në videon e dërguar në redaksi, qytetarja shprehet:
“Sapo erdha nga supermarketi, mora hurmat për agjërim në Elbasan, tek ish-Kinemaja. Big Marketi në Elbasan tek ish-Kinemaja, të sapoblera, të krimbura.”
Ajo pretendon se produkti ishte i sapoblerë dhe i pahapur më parë, ndërsa pamjet tregojnë praninë e krimbave brenda hurmave.
JOQ Albania ka raportuar edhe më herët raste të shumta denoncimesh nga qytetarë në lidhje me produkte të skaduara, të prishura apo me cilësi të dobët në pika të ndryshme të këtij rrjeti supermarketesh. Rasti i fundit ngre sërish pikëpyetje mbi standardet e kontrollit dhe ruajtjes së produkteve ushqimore.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim nga ana e subjektit në fjalë apo nga autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore.
Nëse edhe ju jeni përballur me raste të ngjashme, mund të na dërgoni denoncimet tuaja në redaksinë e JOQ Albania.
Shënim: Denoncimi është bërë publik ditën e sotme, ndërsa ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, kur qytetarja kishte blerë produktin për ta konsumuar gjatë vaktit të syfyrit.