Marjo Përlleshaj apelon dënimin me 16 vite burg për vrasjen e Martin Canit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.02.2026, 16:48

Marjo Përlleshaj, i dënuar me 16 vite heqje lirie për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit.

Burime pranë çështjes bëjnë me dije se avokati mbrojtës kundërshton cilësimin juridik të veprës penale, duke pretenduar se ndaj Përlleshajt nuk duhet të rëndojë akuza për “vrasje në rrethana cilësuese”, për të cilën ai u shpall fajtor në shkallën e parë.

Sipas mbrojtjes, ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën ndikimin e një tronditjeje të fortë psikike. Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Përlleshajn me 12 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe me 10 vite për tentativën e vrasjes së një të mituri tjetër. Pas bashkimit të dënimeve, ai u dënua përfundimisht me 16 vite heqje lirie.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 18 tetorit, pas një konflikti mes dy bashkëmoshatarëve që degradoi në përdorimin e thikës. Sipas hetimeve, përplasja nisi në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Shkolla 9-vjeçare Fan Noli” dhe vijoi jashtë ambienteve të saj.

Gjatë konfliktit, Përlleshaj dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur në bark Martin Canin. I plagosur rëndë, 14-vjeçari është afruar drejt shkollës, ka ecur disa metra dhe më pas është rrëzuar në trotuar për shkak të humbjes së gjakut. Ai ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Nga sherri mbeti i plagosur edhe një tjetër i mitur, shok i afërt i viktimës, i cili nuk frekuentonte të njëjtën shkollë, por stërvitej me ta në të njëjtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori trajtim mjekësor në një spital privat.

Sipas hetimeve, pak minuta pas ngjarjes, autori kishte publikuar në rrjete sociale foto me thikën e përdorur dhe me dorën e gjakosur. Në aplikacionin Snapchat ai kishte postuar një tjetër foto ku shfaqej i qetë, duke ngritur grushtin lart.

Nga pamjet dyshohet se ai ndodhej në një automjet, me persona që mendohet se e kanë larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit. Sipas informacioneve, këta persona dyshohet se kanë mbërritur nga zona e Saukut, pas njoftimit të marrë nga vetë i mituri. Hetimet vijojnë edhe për rolin e tyre në këtë ngjarje dhe për përfshirje të mundshme në konflikte të tjera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit