Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në autostradën Lushnjë–Fier, pranë fshatit Rrapëz, ku një automjet ka përplasur për vdekje një këmbësor.
Sipas informacioneve paraprake, një 70-vjeçar, i identifikuar si Skënder Maledhi, është përplasur nga një mjet tip taksi teksa po tentonte të kalonte në anën tjetër të rrugës. Për shkak të plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:25. Sipas njoftimit zyrtar, automjeti drejtohej nga shtetasi G. Sh., 52-vjeç, i cili pas aksidentit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti mund të ketë ndodhur në kushte errësire dhe me dukshmëri të kufizuar, megjithatë hetimet vijojnë për të sqaruar çdo detaj të kësaj ngjarjeje tragjike.