Në fshatin Lumas, pjesë e Bashkisë së Kuçovës, koha duket se ka mbetur në vend. Banorët thonë se prej periudhës së komunizmit e deri më sot, për të kaluar lumin dhe për të shkuar në shkollë apo për nevoja të përditshme, u është dashur të heqin këpucët dhe të kalojnë zbathur. Dhe sipas tyre, edhe në vitin 2026 situata është po e njëjtë.
Sa herë lumi rritet, banorët mbeten të izoluar. Për çdo nevojë, qoftë edhe më të voglën, duhet të presin derisa uji të shterojë për të kaluar në anën tjetër.
Banorët shprehen se mungesa e një rruge funksionale apo një ure ka sjellë pasoja të rënda ndër vite. Sipas tyre, ka pasur raste kur persona të sëmurë nuk kanë mundur të transportohen në kohë drejt spitalit, pasi mjetet e urgjencës nuk kanë pasur mundësi të kalojnë lumin. Në disa raste, kjo vonesë ka rezultuar fatale.
Problemi nuk ka të bëjë vetëm me komoditetin apo nevojat e përditshme, por me aksesin bazë në shërbime jetike, si kujdesi shëndetësor. Në një kohë kur flitet për zhvillim dhe investime infrastrukturore, banorët e Lumasit kërkojnë një zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme për një problem që zvarritet prej dekadash.
Ata apelojnë ndaj Bashkisë së Kuçovës, institucioneve vendore dhe qendrore që të ndërhyjnë sa më parë, për të garantuar një rrugë apo urë funksionale, në mënyrë që asnjë banor të mos rrezikojë jetën për shkak të mungesës së infrastrukturës minimale.