Kryeministri Edi Rama është shfaqur këtë të martë në ambientet e AKSHI-t për të prezantuar Igli Tafën si pasuesin e Mirlinda Karçanajt, e cila u largua nga detyra pasi u mor e pandehur nga SPAK. Por, ajo që ka rënë në sy gjatë aktivitetit, ishte prania e Viola Agasit, e cila mban postin kyç të Drejtoreshës Juridike të Prokurimeve. Prania e saj në krah të Kryeministrit përbën një sfidë të hapur ndaj drejtësisë, pasi ajo është motra e Ergys Agasit, biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK pikërisht për aferat korruptive në këtë institucion.
Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme ka zbardhur një skemë të frikshme, ku AKSHI ishte kthyer në një "çiflig" personal për një grup individësh që diktonin fituesit e miliona eurove. Ndërkohë që Ergys Agasi kërkohet nga policia si personi që dyshohet se ushtronte ndikim të paligjshëm dhe ndërhynte në tendera, motra e tij, Viola, vazhdon të qëndrojë e palëkundur në krye të zyrës juridike që harton dhe miraton prokurimet. Kjo situatë dëshmon një kapje të tmerrshme të institucionit, ku fijet e korrupsionit janë të lidhura me gjakun.
Detajet e zbuluara nga hetimet janë tronditëse. Rezulton se tenderat për të cilët Ergys Agasi akuzohet se urdhëronte deri në pengmarrje të rivalëve, siç ishte rasti i Gerond Meçes, kalonin pikërisht nëpër duart e motrës së tij në AKSHI. Viola Agasi, në cilësinë e drejtueses së prokurimeve, jepte miratimin përfundimtar për procedurat ku fitues shpallej rrethi i vëllait të saj. Ky binom motër-vëlla ka funksionuar si një mekanizëm perfekt i zhvatjes së fondeve publike, ku njëri diktonte forcën jashtë institucionit dhe tjetra vuloste dokumentet brenda tij, e gjitha kjo nën bekimin e pushtetit që i mbron.