Një reagim i fortë ka shpërthyer pas postimit të eurodeputetit dhe ish-kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, i cili ka përkujtuar 17 shkurtin 1914, shpalljen e të ashtuquajturës “Autonomi e Vorio Epirit”.
Në mesazhin e tij publik, ai e cilëson këtë moment si “akt dinjiteti” dhe “vetëvendosjeje”. Por për shqiptarët, 1914-a nuk është një kapitull krenarie. Është një nga periudhat më të dhimbshme në historinë e jugut dhe juglindjes së vendit.
Arkivat historike dhe dëshmitë e kohës flasin për dhunë të organizuar ndaj popullsisë civile shqiptare në zona si Kolonja, Përmeti, Tepelena, Korça, Gjirokastra, Skrapari, Labëria, Borshi e Delvina.
Masakra e Hormovës mbetet një nga episodet më të rënda të asaj periudhe. Qindra burra u ekzekutuan, fshatra u dogjën dhe mijëra familje u detyruan të shpërngulen. Kjo është e njëjta periudhë historike që sot përkujtohet si “akt dinjiteti”. Për çdo shqiptar, ky kontrast është tronditës.
Askush nuk konteston të drejtat e pakicave kombëtare në Shqipëri, ato janë të garantuara me ligj dhe Kushtetutë. Por përkujtimi me tone krenarie i një momenti që lidhet me tentativa për copëtim territorial dhe me dhunë ndaj shqiptarëve, perceptohet si provokim i pastër.
Sidomos kur kjo vjen nga një person që mban disa pozita: ish-kryebashkiak i një bashkie shqiptare, shtetas me pasaportë shqiptare, eurodeputet që flet në emër të “Europës së vlerave”.
A do të ketë reagim?
Parlamenti Europian promovon fqinjësinë e mirë, stabilitetin dhe respektin për integritetin territorial të vendeve kandidate.
Për shumë qytetarë shqiptarë, lind pyetja: a është në përputhje me këto parime glorifikimi i një kapitulli që për Shqipërinë përfaqëson një ndër periudhat më të errëta dhe më të dhimbshme?
1914-a për shqiptarët nuk është festë. Është kujtesë e një periudhe tragjike. Historia nuk mund të shihet me dy standarde: ajo që për njërën palë quhet “dinjitet”, për tjetrën është plagë. Dhe plagët historike nuk shërohen duke u festuar.