Një situatë shqetësuese është duke ndodhur në aksin rrugor Durrës–Plepa, në afërsi të fshatit Rrakull, në Kavajë, ku mbi 10 automjete kanë pësuar dëmtime të menjëhershme të gomave brenda një harku të shkurtër kohor.
Sipas denoncimeve të mbërritura nga qytetarët, mjetet kanë çarë gomat pothuajse në të njëjtin segment të rrugës, për shkak të gropave të mëdha, dhe asfaltit të dëmtuar. Si pasojë, disa prej automjeteve kanë mbetur të bllokuara në anë të rrugës, duke u bërë burim aksidenti.
Drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar për mungesën e ndërhyrjes në këtë segment, i cili sipas tyre paraqet rrezik real për sigurinë rrugore. Disa prej tyre janë detyruar të kërkojnë ndihmën e familjarëve për zëvendësimin e gomave, ndërsa të tjerë kanë pritur shërbimet e asistencës.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për verifikimin e situatës dhe riparimin e ktij segmenti tepër problematik, në mënyrë që të shmangen incidente të tjera që mund të përfundojnë me pasoja më të rënda.