Dallgët dhe reshjet shkaktojnë ndotje masive në vijën bregdetare të Plazhit të Vjetër

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.02.2026, 18:56

Reshjet e ditëve të fundit dhe dallgët e forta kanë sjellë ndotje të konsiderueshme në vijën bregdetare të Plazhit të Vjetër në Vlorë.

Furia e detit ka nxjerrë në bregdet sasi të mëdha leshterikësh dhe mbeturinash të ndryshme, duke mbuluar pothuajse të gjithë vijën e rërës. Përgjatë gjithë bregut, plazhi ka marrë një ngjyrë kafe për shkak të grumbullimit masiv të leshterikëve.

Ndërkohë situata është përkeqësuar edhe nga prurjet që derdhen përmes lumit Vjosë, përrenjve dhe sistemit të kanalizimeve, të cilat kanë sjellë në breg jo vetëm mbetje urbane, por edhe trungje e materiale të tjera drusore.

Prania e tyre ka shtuar ndjeshëm ndotjen dhe ka krijuar një panoramë shqetësuese për vizitorët dhe banorët e zonës.

Në këto kushte, banorët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për pastrimin e zonës pasi plazhi është një nga hapësirat më të frekuentuara të qytetit dhe mirëmbajtja e tij është thelbësore jo vetëm për turizmin, por edhe për shëndetin publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit