Një video e filmuar nga një pasagjer brenda avionit të kompanisë Arik Air po bën xhiron e rrjetit, duke treguar momentin dramatik kur motori i avionit shfaqet i dëmtuar rëndë gjatë fluturimit.
Bëhet fjalë për një Boeing 737-700, i cili më 11 shkurt ishte nisur nga Lagosi drejt Port Harcourt në Nigeri, por u detyrua të devijojë drejt Beninit pasi ekuipazhi dëgjoi një zhurmë të fortë nga motori i majtë gjatë zbritjes.
Në pamjet e publikuara shihet kapaku i motorit i shqyer dhe pjesë të dëmtuara, ndërsa sipas raportimeve paraprake dyshohet për një problem me fletët e ventilatorit të motorit, që mund të ketë shkaktuar shpërbërjen e mbështjellëses së jashtme.
Pavarësisht momentit të frikshëm për pasagjerët, pilotët realizuan një ulje emergjente të suksesshme në aeroportin e Beninit. Të 80 personat në bord, pasagjerë dhe ekuipazh, zbritën të sigurt dhe pa asnjë lëndim.
Edhe Nigerian Safety Investigation Bureau konfirmoi se gjatë fluturimit u konstatuan anomali serioze në motor. Sipas autoriteteve, motori u fik në mënyrë parandaluese dhe avioni u devijua drejt aeroportit më të afërt të përshtatshëm.
Nga vëzhgimet fillestare është konstatuar dëmtim i konsiderueshëm në motor, ndërsa hetimet e plota kanë nisur sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë ajrore. Raporti paraprak pritet brenda 30 ditësh.
Një moment që për pasagjerët do të mbetet i paharrueshëm: të shohësh nga dritarja dhe të përballesh me një motor të dëmtuar në ajër.
