Lajmi për vdekjen e Kevin Muharremit, 25-vjeçarit shqiptar të qëlluar për vdekje në në Montecalvoli, Itali, është përhapur me shpejtësi në komunitetin e Fucecchio, ku ai jetonte prej vitesh.
I riu u qëllua me tre plumba pistolete teksa po kthehej në shtëpi pas një mbrëmjeje në një lokal, së bashku me kushëririn dhe një mik.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti që çoi në tragjedi dyshohet të ketë nisur pas një sherri jashtë lokalit. Autoritetet italiane po hetojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa familjarë e të njohur shprehen të tronditur dhe nuk arrijnë ta besojnë humbjen e tij, sidomos për motive që cilësohen si të kota.
“Ju siguroj që ishte djalë i artë, i pastër. Të vdesësh për një debat banal është absurde. E njihja shumë mirë, jemi të afërm”, tha një familjar i viktimës, i cili kërkoi të mbetet anonim. Ai menaxhon një pikë karburanti në Fucecchio, pranë së cilës 25-vjeçari drejtonte së bashku me vëllain një aktivitet lavazhi dhe shitblerje automjetesh.
“Ishte i mrekullueshëm, gjithmonë i buzëqeshur dhe i respektueshëm”, shtoi ai, duke theksuar se Kevin ishte i përkushtuar ndaj punës dhe i integruar plotësisht në komunitet.
“Kam lexuar komente që nuk janë aspak të vërteta. Kevin dhe familja e tij janë njerëz të ndershëm. Punonte, dilte me shokët. Ishte simpatik, me humor dhe plot jetë”.
Sipas familjarëve, ai jetonte me vëllain dhe kunatën në Fucecchio, ndërsa pjesa tjetër e familjes lëvizte mes Italisë dhe Shqipërisë. Në momentin e ngjarjes, nëna dhe motra ndodheshin në Shqipëri, por pritet të mbërrijnë në Itali.
“Të rinjtë tanë po rriten në një shoqëri shumë të dhunshme. Kam një djalë 16 vjeç dhe, edhe pse mundohem t’i jap edukatën dhe vlerat e duhura, kam frikë se ndoshta nuk mjafton. Përballë vdekjes së Kevin-it ndihemi të pafuqishëm”, u shpreh më tej i afërmi.
Hetimet vijojnë për identifikimin e plote të rrethanave dhe dënimin e autorit, ndërsa komuniteti shqiptar dhe ai italian në zonë janë bashkuar në dhimbje për humbjen tragjike të 25-vjeçarit.