Kushdo që dëshiron të ndihmojë familjen, mund të kontaktojë ose të kontribuojë në:
📞 Nr. kontakti: +355 69 601 7532
🏦 Llogari bankare (Credins Bank):
IBAN: AL81 2121 1009 0000 0000 0232 9321
Titullari i llogarisë: Nanxa Manush
Në Vlorë, larg zhurmës së qytetit dhe vëmendjes së institucioneve, një familje prej gjashtë anëtarësh ka mbijetuar prej vitesh në kushte që vështirë se mund të quhen njerëzore. Familja Nanxa ka jetuar brenda kupolave të vjetra, vendstrehime avionësh të ndërtuara gjatë periudhës së diktaturës – struktura betoni të ftohta, të lagështa dhe të braktisura prej dekadash.
Aty ku dikur ruheshin avionë ushtarakë, sot është improvizuar një “shtëpi” me dërrasa, plastmasë dhe copa llamarine. Dyshemeja e ashpër, lagështia që depërton në çdo cep dhe mungesa e kushteve bazë e bëjnë jetesën tejet të vështirë. Megjithatë, për këtë familje, ajo kupolë ka qenë streha e vetme.
Brenda atyre mureve të ftohta rritet një fëmijë 6-vjeçar, i lindur me problem në zemër dhe me buzë si lepuri. Ai ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor, për ngrohtësi dhe stabilitet, por realiteti i përditshëm është lagështia dhe pasiguria.
Babai i familjes vuan nga një sëmundje e rëndë e lëkurës, e cila ia kufizon mundësinë për të punuar dhe për të siguruar të ardhura. Ai thotë se sëmundja po i avancon me shpejtësi dhe se sapo trupi i tij vihet në lëvizje fillon ti krruhet dhe i hapen plagë. Çdo ditë për të është përballje me dhimbjen dhe pamundësinë. Ndërkohë, një tjetër anëtar i familjes përballet me probleme të shëndetit mendor, duke e rënduar edhe më shumë situatën sociale dhe ekonomike.
Sikur të mos mjaftonin këto vështirësi, familja është njoftuar nga Bashkia e Vlorës se brenda 15 ditësh duhet të lirojë kupolën, pasi zona do t’i nënshtrohet zhvillimeve të reja. Kjo do të thotë se nga një strehë e improvizuar, ata rrezikojnë të përfundojnë plotësisht në qiell të hapur.
Pa të ardhura të qëndrueshme. Pa mbështetje institucionale. Me tre persona të sëmurë në familje dhe dy fëmijë që ndjekin rregullisht shkollën.
Familja Nanxa apelon për ndihmë urgjente. Kërkesa e tyre nuk është luks, por një strehë e sigurt ku fëmijët të mund të rriten me dinjitet dhe qetësi.