Kundër resortit të oligarkut Baç Ulaj, momenti kur banorët e Rrjollit përplasen me policinë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.02.2026, 21:15

Situata në Rrjoll të Velipojës u tensionu këtë fundjavë, teksa banorët u përplasën me forcat e policisë në përpjekje për të ndaluar vijimin e punimeve për ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo”, projekt i kompanisë “Gener 2”, në pronësi të oligarkut Bashkim Ulaj.

Siç shihet edhe në pamje, banorët janë përballur fizikisht me efektivët, ndërsa kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë për të hyrë në zonën ku po punojnë mjetet e rënda. Protestuesit bllokuan lëvizjen e automjeteve duke u ulur në rrugë dhe duke refuzuar të largohen nga territori që, sipas tyre, u përket me dokumente të trashëguara ndër breza.

Banorët pretendojnë se toka ku po zhvillohet projekti është pronë e tyre dhe se kanë depozituar kallëzim pranë organeve të drejtësisë për verifikimin e dokumentacionit. Ata kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.

“Do të vdesim këtu për tokën tonë dhe të gjyshërve”, u shprehën disa prej protestuesve në terren, duke theksuar vendosmërinë për të mos u tërhequr.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh në zonën ranore të Baks-Rrjollit, pranë Velipojës, me dhjetëra struktura akomoduese. Banorët kundërshtojnë mënyrën si është dhënë leja e ndërtimit dhe pretendojnë se një pjesë e territorit ka qenë më herët zonë e mbrojtur.

Pak ditë më parë, dhjetëra prej tyre protestuan edhe para SPAK dhe Kuvendit, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve dhe hetim të plotë të procedurave. Çështja ndodhet aktualisht në gjykatë dhe banorët kërkojnë pezullimin e punimeve deri në shqyrtimin përfundimtar nga Apeli, me seancën e radhës që pritet së shpejti.

Ndërkohë, në terren situata mbetet e tensionuar, me prani të shtuar të forcave të rendit dhe banorë që deklarojnë se nuk do të lejojnë vijimin e projektit pa u sqaruar më parë çështja e pronësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit