“PO NUK DËGJUAT, UNË ÇOHEM!”, Rama kërcënon banorët në Durrës: Nëse iki, ju dilni të humbur!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14.02.2026, 20:01

Takimi i kësaj të shtune në Durrës mes kryeministrit Edi Rama dhe banorëve që preken nga projekti TID, është shoqëruar me tone të larta, tensione dhe paralajmërime të forta. Megjithëse takimi u zhvillua pa praninë e mediave, detajet e zbardhura tregojnë një përballje të ashpër, ku kreu i qeverisë u ka bërë të qartë qytetarëve se projekti do të zbatohet me çdo kusht dhe se kundërshtitë mund t'u kushtojnë vetë atyre.

Gjatë diskutimit, Rama ka pranuar hapur se vlera e dëmshpërblimit të ofruar për pronat e tyre nuk është e drejtë, duke theksuar se ky ishte edhe qëllimi i vizitës së tij. Megjithatë, ai u ka prerë rrugën debateve për anulimin e projektit, duke deklaruar se kishte shkuar për të diskutuar vetëm çështjen e parave dhe jo vetë ndërhyrjen urbanistike. “S’kam ardhur këtu të diskutoj projektin fare. Kam ardhur të diskutoj që vlera që ju kanë dhënë është e padrejtë”, ka thënë kryeministri, duke tentuar të mbajë kontrollin mbi axhendën e bisedës.

Situata është tensionuar më tej kur Rama i ka kërkuar banorëve të mos bëjnë "karshillëk me komunista", duke i kërcënuar se nëse biseda nuk shkon sipas kushteve të tij, ai do të largohej nga takimi. Sipas tij, nëse qytetarët zgjedhin përplasjen me shtetin, ata do të jenë të vetmit që do të dalin të humbur. “Ju do dilni të humbur se unë kam parë shumë vetë. Unë kam ardhur këtu që ju mos dilni të humbur. Po nuk dëgjuat çfarë them, atëherë do ngatërroheni me fjalët tuaja”, ka deklaruar ai me tone urdhëruese.

Në fund, kryeministri ka përsëritur se insistimi i tij lidhet vetëm me rishikimin e çmimit të kompensimit, duke treguar irritim ndaj banorëve që vazhdonin të ngrinin të njëjtat shqetësime. Mesazhi i tij ishte i qartë: projekti TID nuk ndalet, dhe banorët duhet të pranojnë ndërmjetësimin e tij për vlerën e pronës, përndryshe përballja me makinerinë e shtetit do t'i lëshonte ata pa asnjë mbështetje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit