Katër anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal me bazë në Essex janë dënuar me mbi 11 vite burg në total, pasi u zbuluan si pjesë e një operacioni të gjerë për kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas hetimeve të policisë së Essex, grupi kishte arritur të gjeneronte mbi 500 mijë paund fitime nga viti 2023 deri në 2025. Aktiviteti drejtohej nga Southend dhe në krye të organizatës qëndronin dy vëllezër, Sefedin dhe Eldi Tafa, të cilët kontrollonin kultivimin e bimëve, sigurimin e ambienteve dhe furnizimin me materiale.
Në strukturën e grupit përfshihej edhe Servet Dobrushi, i cili merrej me organizimin e shitjes së lëndës narkotike, ndërsa në nivelin tjetër ishin Asterjo Sata dhe Reols Havalja, të cilët mbikëqyrnin rritjen e kanabisit dhe transportonin drogën dhe paratë në zona të ndryshme të vendit.
Operacioni u zbulua në orët e para të 30 gushtit 2023, kur policia gjeti një “shtëpi bari” në Aragon Close, Southend. Brenda ambientit u zbuluan 446 bimë kanabisi, të mirëmbajtura dhe gati për treg. Sipas vlerësimit të autoriteteve, vetëm kjo sasi mund të arrinte një vlerë deri në 118 mijë paund nëse shitej me shumicë. Në banesë u gjetën gjithashtu 5 mijë paund cash dhe prova të tjera që çuan drejt identifikimit të personave të përfshirë.
Hetimet u thelluan më tej nga njësia kundër krimit të organizuar në Essex, duke zbuluar një rrjet më të gjerë që shtrihej nga Southend deri në Uells. Në tetor 2024 u arrestua edhe një broker sigurimesh, Simon Jackson, i cili dyshohet se krijonte polica sigurimi të rreme për automjetet e grupit, duke i bërë ato të dukeshin të ligjshme dhe duke lehtësuar aktivitetin kriminal. Nga kontrolli në banesën e tij u sekuestruan mbi 3 mijë paund cash, sende luksi dhe dokumente që, sipas hetuesve, lidhen me përfitime kriminale që arrijnë në 360 mijë paund.
Çështja u ndoq nga Prokuroria e Kurorës (CPS) dhe të pandehurit pranuan akuzat përpara se të nisnin gjyqin. Vendimi u dha më 13 shkurt në Gjykatën e Basildon.
Sefedin Tafa, 33-vjeç, u dënua me 4 vite e gjysmë burg për komplot për kultivim dhe furnizim me kanabis.
Asterjo Sata, 22-vjeç, u dënua me 32 muaj burg.
Reols Havalja, 28-vjeç, u dënua me 23 muaj burg dhe përballet me procedura dëbimi pas lirimit.
Servet Dobrushi, 3- vjeç, u dënua me 27 muaj burg.
Ndërsa Eldi Tafa rezulton ende në kërkim dhe dyshohet se ndodhet jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Autoritetet britanike bëjnë me dije se puna për lokalizimin dhe arrestimin e tij vijon.
Nga policia e Essex u theksua se kultivimi dhe shpërndarja e kanabisit lidhen shpesh me forma të tjera të krimit të organizuar dhe dhunës serioze, ndaj operacione të tilla synojnë çmontimin e plotë të rrjeteve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë qarkut.