Një takim i kryeministrit Edi Rama me banorët e Durrësit, të prekur nga projekti i debatueshëm TID, është shndërruar në një skenë tensioni dhe arrestimesh. Ajo që nisi si një diskutim për projektin, përfundoi me ndërhyrjen e forcave të policisë, të cilat duket se u vunë në lëvizje pas një "shenje" të dhënë nga vetë kreu i qeverisë në drejtim të qytetarëve që guxuan ta kundërshtonin.
Incidenti nisi kur një prej qytetarëve të pranishëm i është drejtuar Ramës me ironi, duke i thënë: “Shko se po të pret Gysi”, një referencë që duket se ka irrituar menjëherë kryeministrin. Sipas dëshmive dhe pamjeve nga vendngjarja, Rama ka reaguar me një gjest drejt tij, dhe brenda pak sekondash policia ka ndërhyrë duke e arrestuar qytetarin në mes të turmës. Ajo që bie në sy është se nga pamjet nuk rezulton asnjë akt dhune apo rrezik fizik nga ana e të riut, çka ngre dyshime të forta se ndalimi erdhi thjesht si ndëshkim për fjalën e lirë dhe komunikimin verbal.
Situata është përshkallëzuar me shpejtësi kur banorët e tjerë kanë nisur të thërrasin kundër projektit TID, duke e cilësuar atë si një dëm për pronat dhe interesat e tyre. Në këtë moment, policia ka vijuar me shoqërimet e tjera, duke krijuar një atmosferë shtypëse në mes të qytetit.
Kjo ngjarje ka rihapur debatin mbi arrogancën e pushtetit dhe përdorimin e policisë si një mjet për të heshtur zërat kritikë. Projekti TID në Durrës ka qenë prej kohësh në qendër të kundërshtive, por incidenti i sotëm tregon se qeveria nuk po pranon më asnjë lloj forme revolte, qoftë kjo edhe thjesht verbale, duke i kthyer takimet me qytetarët në vatra tensioni dhe represioni policor.