Një video që është shpërndarë masivisht në rrjetet sociale, ku shfaqet një mësues duke shpërthyer në lot në klasë ndërsa nxënësit qeshin dhe e filmojnë, ka ndezur debat të fortë në Francë dhe më gjerë.
Pamjet janë shpërndarë në disa gjuhë dhe janë shoqëruar me pretendime të ndryshme, ku situata paraqitet si pasojë e presionit dhe mungesës së respektit në shkolla. Në shumë postime, videoja është përdorur për të nxitur narrativa përçarëse dhe për të ushqyer debate të ashpra sociale.
Megjithatë, sipas verifikimeve online, këto pamje janë të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale. Për çdo skenar të publikuar, paraqitet i njëjti model: një mësues që qan dhe nxënës që qeshin rreth tij. Video të tilla shfrytëzojnë një problem real, stresin dhe vështirësitë që përballen mësuesit, për të prodhuar përmbajtje emocionale që përhapet shpejt në rrjet.
Pamjet e fabrikuara janë ripublikuar pa kontekst në disa vende dhe janë përdorur për të përforcuar mesazhe radikale apo përçarëse, sidomos pas ngjarjeve të rënda që kanë prekur komunitetin arsimor në Francë kohët e fundit.
Rasti është një tjetër shembull se si përmbajtja e krijuar me Inteligjencë Artificiale mund të manipulojë opinionin publik, duke u paraqitur si reale dhe duke ndezur reagime të forta emocionale.
Ekspertët këshillojnë kujdes para shpërndarjes së videove të tilla, pasi teknologjia e re e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes reales dhe asaj të fabrikuar.