Një tërmet i vërtetë ka goditur pasditen e sotme godinën e Kryeministrisë. Burime për mediat bëjnë me dije se Engjëll Agaçi, njeriu më i besuar i Edi Ramës dhe Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë prej 13 vitesh, është larguar nga detyra.
Ky largim i papritur vjen në një moment kritik dhe ngre dyshime të forta, pasi ndodhi vetëm pak orë pasi Agaçi "u mbërthye" për 3 orë brenda SPAK.
Paraditen e sotme, Agaçi u pa të futej në ambientet e SPAK-ut, ku u mor në pyetje intensivisht për rreth 180 minuta. Në dalje, ai u tregua i rezervuar por konfirmoi atë që pritej:
"U pyeta lidhur me inceneratorin e Tiranës. Jam në dispozicion të organeve të drejtësisë," deklaroi ai për gazetarët.
Pyetja që po qarkullon me shpejtësi në korridoret e politikës është: Pse pikërisht sot? * A ishte dëshmia në SPAK "pika që derdhi gotën"?
Deri tani, zyra e shtypit e Kryeministrisë ka zgjedhur heshtjen, duke mos dhënë asnjë sqarim nëse ky ishte një largim i paralajmëruar apo një "shkrirje" e menjëhershme e marrëdhënieve me bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ramës.