Atletico turpëron Barcelonën në gjysëmfinalen e Kupës së Mbretit, i shënon 4 gola në pjesën e parë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.02.2026, 23:18

Një natë për t’u harruar për Barcelonën dhe një festë e madhe për tifozët e Atletico Madridit. Në “Riyadh Air Metropolitano”, skuadra e Diego Simeones shkatërroi katalanasit me rezultatin e thellë 4-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit 2026, duke hedhur një hap gjigant drejt finales së prillit.

Sfida nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për Barcelonën. Që në minutën e 6-të, një gabim i rëndë i portierit Joan García çoi në një autogol të Eric García, duke i dhënë avantazhin vendasve. Atletico përfitoi menjëherë nga tronditja e kundërshtarit dhe rriti presionin.

Vetëm tetë minuta më vonë, Antoine Griezmann dyfishoi shifrat, duke ndëshkuar një mbrojtje të çorganizuar të Barcelonës. Skuadra blaugrane dukej e humbur në fushë dhe në minutën e 32-të ishte Ademola Lookman që realizoi golin e tretë, duke e kthyer ndeshjen në një makth për miqtë.

Pak para pushimit, Julian Alvarez vulosi “pokerin”, duke shënuar golin e katërt dhe duke mbyllur praktikisht llogaritë që në pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë, Barcelona nuk arriti të reagojë. Tentativat ishin të pakta dhe pa rrezik real për portën e Atleticos, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Në minutën e 85-të situata u përkeqësua edhe më shumë për katalanasit, pasi pas rishikimit me VAR, arbitri ndëshkoi Eric Garcían me karton të kuq, duke e mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë.

Tashmë Barcelona do të duhet të realizojë të paktën katër gola në ndeshjen e kthimit më 3 mars në “Spotify Camp Nou” për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, një mision që në letër duket thuajse i pamundur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit