Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, gjatë një fjalimi të mbajtur pak ditë më parë në Uashington, deklaroi se bandat e dhunshme në vendin e tij nuk ishin thjesht organizata kriminale, por sipas tij, kishin edhe dimension “okult”.
Sipas Bukele, bandat kriminale kryenin hapur rituale satanike të dokumentuara me altarë dhe prova vizuale. Ai kritikoi mediat globale për injorimin e këtij fakti dhe thekson se liderët e vërtetë duhet t'i kërkojnë Zotit urtësi për të mposhtur armiq që shkojnë përtej botës njerëzore.
Në fjalën e tij, Bukele u shpreh:
“Bandat nuk mjaftoheshin vetëm me vrasje, përdhunime apo gjobvënie; ata adhuronin edhe Satanain. Ishte diçka e hapur, e drejtpërdrejtë, tekstualisht. Shumë njerëz nuk e dinë se armiku ynë nuk ishte vetëm prej mishi e gjaku, por ishte edhe i natyrës shpirtërore. Kur shkuam në shtëpitë e tyre për t'i arrestuar, zbuluam altarë që i përdornin për rituale satanike. Kjo është e dokumentuar plotësisht. Ne i publikuam fotot dhe videot menjëherë; por, për arsye të çuditshme, mediat kryesore globale nuk menduan se ia vlente ta mbulonin këtë lajm. Megjithatë, ne e dimë që bandat në El Salvador ishin satanike, adhuronin Satanain, dhe disa nga ato banda janë sot këtu, në Shtetet e Bashkuara. Liderët nuk duhet t’i kërkojnë Zotit pasuri, famë apo të mira materiale. Liderët duhet t’i kërkojnë Atij urtësi.”
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime dhe debat, sidomos për gjuhën e fortë të përdorur dhe paralajmërimin se anëtarë të këtyre bandave ndodhen tashmë në territorin amerikan.