Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke ngritur një shqetësim që, sipas tij, mund të përbëjë rrezik për drejtuesit e mjeteve në rrugën dytësore Tiranë–Durrës, pranë zonës së QTU-së.
Në një video të dërguar në redaksi, ai shfaq gomën e çarë të mjetit të tij dhe pretendon se në këtë segment rrugor hidhen vida dhe gozhda, me qëllim që automjeteve t’u dëmtohen gomat dhe drejtuesit të detyrohen të drejtohen për shërbim në një gomisteri aty pranë.
“Shikojeni çfarë bëjnë, te rruga dytësore te QTU. Është një gomisteri këtu që hedh vida dhe gozhda në rrugë. Ja shikojeni!”, dëgjohet të thotë ai në video.
Në mesazhin e tij, qytetari shton:
“Përshëndetje, ja ç’bëhet në rrugën dytësore Tiranë–Durrës… Është një gomisteri pa shkuar te QTU-ja. Është hera e tretë për 2026 që po na ndodh. Shikohet shpesh furgoni i gomisterisë që kalon në këtë rrugë natën.”
Duhet theksuar se këto janë pretendime të qytetarit dhe deri në këto momente nuk ka prova apo konfirmim zyrtar që vërtetojnë se subjekti në fjalë ka lidhje me dëmtimet e gomave. Në video nuk shfaqen pamje që faktojnë hedhjen e gozhdave apo vidave nga ndonjë person apo biznes i caktuar.
Megjithatë, nëse situata e përshkruar është reale, ajo përbën një rrezik serioz për sigurinë rrugore dhe për jetën e drejtuesve të mjeteve.
U bëjmë thirrje autoriteteve kompetente të verifikojnë këtë pretendim dhe të marrin masa nëse konstatohet ndonjë shkelje. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor të tregojnë kujdes të shtuar.