Pamje dramatike të filmuara nga kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur një gropë gjigante u hap papritur në një nga rrugët e Shangait, duke “gëlltitur” asfaltin, shtyllat e ndriçimit dhe pjesë të trotuarit brenda pak sekondash.
Ngjarja ndodhi më 11 shkurt 2026 në Qixin Road, në distriktin Minhang, në kryqëzimin me Li’an Road. Në video shihen fillimisht çarje që përhapen me shpejtësi në asfalt, ndërsa pak çaste më vonë toka shembet duke krijuar një humnerë 10 deri në 20 metra të gjerë. Kalimtarët dhe punëtorët largohen me vrap, ndërsa skajet e rrugës vazhdojnë të shemben drejt një hapësire të errët e të mbushur me ujë.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndonëse bëhet fjalë për një zonë shumë të populluar të një qyteti me mbi 25 milionë banorë.
Sipas informacioneve paraprake, një ditë më parë punëtorët kishin sinjalizuar për një rrjedhje uji gjatë punimeve për zgjerimin e linjës së metrosë Jiamin. Dyshohet se rrjedhja mund të ketë dobësuar strukturën nëntokësore, duke krijuar boshllëqe që më pas çuan në shembjen e papritur të sipërfaqes. Autoritetet mbyllën menjëherë zonën dhe vendosën barriera sigurie.
Ekspertët theksojnë se Shangai ndodhet mbi toka aluvionale të buta të deltës së lumit Yangtze, të cilat janë më të ndjeshme ndaj erozionit nëntokësor, sidomos kur kombinohen me ndërtime të mëdha infrastrukturore dhe rrjedhje uji. Ky fenomen njihet si “suffosion”, një proces ku uji shpëlan materialin e imët nëntokësor, duke krijuar boshllëqe që me kalimin e kohës nuk përballojnë më peshën e sipërfaqes.
Ngjarje të tilla nuk janë të izoluara. Edhe në raste të tjera në Kinë janë regjistruar shembje urash apo rrëshqitje dheu për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit dhe akumulimit të ujit.
Shpesh këto gropa krijohen kur uji, qoftë nga reshjet, rrjedhjet e tubacioneve apo ujërat nëntokësore, gërryen shtresat poshtë sipërfaqes. Me kalimin e kohës krijohen hapësira bosh dhe, kur pesha e asfaltit apo e ndërtesave bëhet e papërballueshme, ndodh shembja e papritur.
Pamjet nga Shangai kanë bërë xhiron e botës, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e infrastrukturës në megaqytetet që rriten me ritme të shpejta.