Një ngjarje e rëndë është raportuar në Ballsh, ku sipas denoncimit një burrë i identifikuar si Gazment Saliaj dyshohet se ka nxitur qentë e tij të sulmojnë një mushkë të gjallë, duke e rrëzuar në tokë dhe duke e sulmuar deri në ngordhje. Sikur të mos mjaftonte kjo ai ka publikuar me krenari pamjet e sulmit në grupe të ndryshme në rrjetet sociale.
Ngjarja ka shkaktuar indinjatë të madhe tek qytetarët, të cilët e konsiderojnë këtë akt si një formë të pastër dhune dhe mizorie ndaj kafshëve. Publikimi i videove, jo vetëm që dëshmon mungesë totale ndjeshmërie, por ngre edhe pikëpyetje serioze mbi ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë ligjore të autorit.
Raste të tilla duket se po shtohen në vendin tonë, ndërkohë që shpesh autorët mbeten të pandëshkuar.
Kujtojmë se keqtrajtimi i kafshëve përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi. Mosndëshkimi i rasteve të tilla jo vetëm që cenon standardet ligjore, por inkurajon raste të tilla.
JOQ i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për verifikimin e rastit, ndjekjen penale të autorit dhe vendosjen e drejtësisë.