Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO) ka marrë një vendim të bujshëm dhe të çuditshëm këtë të mërkurë, më 11 shkurt 2026, duke hequr sekuestron mbi llogaritë bankare të Olsi Ibros. Vendimi i dhënë nga gjyqtari Florian Kalaja vjen pas ankimimit të familjarëve të Ibros, i cili konsiderohej nga prokuroria si arkitekti i grupit të strukturuar kriminal që mashtroi mijëra qytetarë shqiptarë me mikrokreditë.
Olsi Ibro ishte njeriu që drejtonte skemën e famshme të mikrokredive, përmes së cilës u vodhën dhjetëra milionë euro nga xhepat e shqiptarëve të thjeshtë. Ai akuzohej se bashkë me gruan e tij, Elda Ibro, dhe Arben Meskutin, kishin krijuar një rrjet që "gjuante" njerëzit në nevojë për para, për t'u marrë më pas gjithçka që kishin përmes përmbarimit. I gjendur nën presionin e drejtësisë dhe pas shpërthimit të skandalit në media, zyrtarisht u tha se Ibro i dha fund jetës duke u vetëvrarë në korrik të vitit 2024. Por në qarqe të ndryshme, aludohet edhe për një "heqje qafe" të mundshme për shkak të informacioneve që dinte.
Sipas organit të akuzës, kjo skemë funksiononte përmes një mekanizmi grabitqar ku individët dhe kompanitë e përfshira shfrytëzonin në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të personave që kishin borxhe të vjetra dhe ndodheshin në kushte të vështira ekonomike. Për t'i detyruar ata të futeshin në borxhe të reja, ushtrohej një presion i vazhdueshëm psikologjik dhe përndjekje ndaj debitorëve dhe familjarëve të tyre përmes telefonatave të pandërprera.
Si pasojë e kësaj strategjie zhvatëse, shoqëritë MCA dhe Final dyshohet se kanë grumbulluar pasuri dhe të ardhura të paligjshme që kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove. Këto shuma, të përfituara përmes vjedhjes dhe mashtrimit të qytetarëve, më pas janë riinvestuar apo janë përdorur për të financuar aktivitete të tjera.
Në vendimin e tij, gjyqtari Kalaja ka pranuar pjesërisht kërkesat e familjarëve të Ibros duke e shpallur të pavlefshëm bllokimin. Ai konstatoi se vendimi i Prokurorisë për të sekuestruar llogaritë bankare të Ibros ishte "absolutisht i pavlefshëm". Për rrjedhojë, gjykata urdhëroi heqjen e sekuestros mbi llogaritë në bankat e nivelit të dytë që janë në emër të Olsi Ibros dhe ngarkoi SPAK-un për zbatimin e këtij urdhri.
Kjo dosje, e cila kaloi nga Prokuroria e Tiranës te SPAK në dhjetor 2024 dhe u dërgua për gjykim në korrik 2025, mbetet një nga plagët më të mëdha sociale në vend, me mijëra qytetarë që ende presin të marrin mbrapsht paratë e tyre të zhvatura.