I hedhur në det me këmbët e lidhura me spango, qeni gjendet i pajetë në bregdetin e Sarandës

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.02.2026, 19:33

Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Sarandë, ku një qen është gjetur i ngordhur në breg të detit, pasi dyshohet se është hedhur në ujë me këmbët e lidhura, duke mos pasur asnjë mundësi shpëtimi.

Sipas pamjeve dhe dëshmive, kafsha kishte këmbët e lidhura me spango, çka tregon qartë se nuk bëhet fjalë për një aksident, por për një akt të qëllimshëm dhe mizor. Qeni dyshohet se është hedhur në det për t’u mbytur dhe më pas është nxjerrë nga dallgët në breg, ku është gjetur pa shenja jete.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta dhe indinjatë të thellë te qytetarët dhe aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, të cilët e cilësojnë këtë akt si krim të rëndë dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përgjegjëse.

Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet, ndërsa qytetarët kërkojnë që rasti të hetohet dhe autorët të identifikohen e të ndëshkohen sipas ligjit. Kujtojmë se dhuna ndaj kafshëve përbën vepër penale dhe ndëshkohet nga legjislacioni shqiptar.

Kjo ngjarje ngre edhe një herë alarmin për mungesën e kontrollit dhe ndëshkimit real ndaj rasteve të keqtrajtimit të kafshëve, si dhe nevojën urgjente për përgjegjësi institucionale dhe sensibilizim shoqëror.

JOQ i bën thirrje Policisë së Shtetit, dhe institucioneve përgjegjëse që të nisin urgjentisht hetimet, të identifikojnë autorët dhe t’i çojnë para drejtësisë. Dhuna ndaj kafshëve nuk është “rast i vogël”, por krim që duhet ndëshkuar. Heshtja dhe mosveprimi vetëm sa inkurajojnë përsëritjen e këtyre akteve të rënda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit