Trendi viral ku gratë paguajnë mijëra dollarë për të ulëritur në mes të pyllit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.02.2026, 21:00

Një trend i pazakontë i quajtur “Rage Ritual” (Rituali i Tërbimit) është bërë viral në rrjetet sociale, duke nxitur debate të shumta mbi shëndetin mendor. I nisur fillimisht në Skoci, ky ritual synon t’u ofrojë grave një mënyrë alternative për të çliruar zemërimin dhe emocionet e shtypura përmes shpërthimeve fizike.

Në videot që po qarkullojnë në rrjet, pjesëmarrëset shihen duke ulëritur me të madhe, duke qarë dhe duke goditur tokën me shkopinj në zona pyjore. Seancat drejtohen nga Mia Banducci, e njohur online si Mia Magik, e cila argumenton se zemërimi, veçanërisht te gratë, shpesh është “demonizuar” dhe shtypur nga shoqëria.

Rituali zakonisht nis me ushtrime frymëmarrjeje dhe më pas kalon në fazën e shpërthimit emocional. “Shpirti juaj është një vullkan, lëreni të shpërthejë!” dëgjohet të thotë organizatorja, ndërsa zëri i saj mbulohet nga britmat e grave. Pamjet tregojnë skena intensive: disa gra qajnë në mënyrë të pakontrolluar, të tjera gjunjëzohen në tokë duke u mbuluar me baltë, madje raportohen edhe gërvishtje apo mavijosje në duar si pasojë e forcës së përdorur.

Megjithatë, 'çlirimi i shpirtit' nuk është falas. Një seancë disa ditore e organizuar nga Banducci kushton nga 2000 deri në 4000 dollarë, ndërsa një biletë vetëm për një ditë arrin në 222 dollarë.

Kjo kosto e lartë ka ndezur debate online; ndërsa disa e shohin si një investim të nevojshëm për veten, të tjerë e konsiderojnë atë një skemë të ekzagjeruar për të përfituar nga nevojat emocionale.

Çfarë thonë ekspertët? Ky fenomen bazohet në “Terapinë e Britmës Primale”, e zhvilluar në vitet ’70 nga psikologu Arthur Janov.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se metoda të tilla "shokuese" nuk janë të përshtatshme për të gjithë. Psikologia Stephanie Sarkis thekson se për shumë individë, teknikat qetësuese si frymëmarrja e thellë, ecja apo muzika relaksuese mbeten metoda më efektive dhe më të sigurta për menaxhimin e stresit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit