Vrasja e Ardit Spahiut, Franc Çopja kërkon pafajësinë: S’keni prova

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 08.02.2026, 17:52

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ardit Spahiut, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, vijon në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, mes debatesh të forta mbi besueshmërinë e provave të paraqitura nga prokuroria.

Në seancat e fundit, nëntë persona të akuzuar për këtë vrasje janë përballur me një proces ku mbrojtja ka kundërshtuar ashpër versionin zyrtar të ngjarjes, duke vënë në pikëpyetje dëshmitë, analizat e ADN-së dhe komunikimet e përgjuara përmes platformës së enkriptuar Sky ECC.

Sipas mediave belge, avokatët e Elvis Muratajt kanë kërkuar shpalljen e pafajësisë së tij, duke argumentuar se ai nuk ka pasur asnjë rol në atentatin ndaj Spahiut. Mbrojtja ka theksuar se përshkrimet fizike të dhëna nga dëshmitarët nuk përputhen me profilin e Muratajt, ndërsa roli i tij në ngjarje ka ndryshuar gjatë procesit gjyqësor. Fillimisht ai u akuzua si “qitësi me armë të gjatë”, ndërsa më pas prokuroria e paraqiti si drejtuesin e automjetit. Sipas mbrojtjes, asnjë nga këto versione nuk mbështetet në prova konkrete.

Pafajësi ka kërkuar edhe Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, i cili e ka cilësuar dosjen e prokurorisë të pabesueshme dhe të ndërtuar mbi supozime. Ai bën pjesë në grupin e katër të pandehurve që kanë kundërshtuar akuzat, së bashku me Elton Roçin, Blerim Mamutajn dhe Elvis Muratajn.

Nga ana tjetër, hetimet e prokurorisë belge e përshkruajnë vrasjen e Ardit Spahiut si një akt hakmarrjeje të përgjakshme mes klaneve kriminale shqiptare. Sipas dosjes, Spahiu u qëllua me 18 plumba nga dy armë zjarri. Dy persona të dyshuar si atentatorë, Flobenc Meçja dhe Endrit Sadedini, nuk janë të pranishëm në proces, pasi ndodhen të arrestuar në Shqipëri për çështje të tjera penale.

Ngjarja ndodhi më 27 nëntor 2020, kur Spahiu ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht nga makina, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit